Rusia do të vazhdojë të mbështesë integritetin territorial të Serbisë, me të cilën do të forcojë partneritetin e saj strategjik.

Ka qenë ky përfundimi i takimit mes presidentit serb Boris Tadic dhe kryeministrit rus Vladimir Putin, i cili ndodhet për një vizitë në Beograd.

“Rusia ka një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar Tadic.

Presidenti serb ka nënvizuar se mes vendit të tij dhe Rusisë ka një shkallë të lartë pajtimi rreth cështjeve të politikës ndërkombëtare.

Nga ana e tij, Putin ka nënvizuar se, dy vendet i lidhin marrëdhënie të shumta afatgjata, që sipas tij janë zhvilluar në fusha të ndryshme.

Gjithashtu, Putin ka theksuar se Rusia nuk është e shqetësuar nga aspiratat e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Do të punojmë së bashku që integrimet evropiane të mos përkeqësojnë marrëdhëniet ruso-serbe”, ka thënë Putin në konferencën e përbashkët për shtyp.

Ndërsa Tadic ka shtuar më tej se, Serbia është e orientuar drejt BE-së, por marrëdhëniet strategjike prioritare të saj mbeten me Rusinë.

Top Channel