Maqedonia dhe Kosova janë vende mike dhe nuk kanë cështje të hapura mes tyre, gjë që favorizon rritjen e bashkëpunimit dypalësh.

Ka qenë ky qëndrimi më të cilin kanë dalë presidentët Gjorgje Ivanov dhe Behgjet Pacolli, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shkup.

“Maqedonia është e interesuar për bashkëpunim në të gjitha sferat me Republikën e Kosovës. Shënimi i vijës së demarkacionit mes dy vendeve është një përparim jetik dhe i kontribuon stabilitetit dhe paqes në rajon. Me mbylljen e kësaj cështjeje ne treguam se në rajon kontestet e njëjta duhet të zgjidhen me dialog dhe përmes ndërtimit të mirëbesimit”, ka deklaruar Ivanov.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe presidenti Pacolli, i cili ka nënvizuar se konfliktet në Ballkan i përkasin së kaluarës.

“I kemi zgjidhur të gjitha problemet që na qëndronin përpara. I vendosëm marrëdhëniet diplomatike dhe tani do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka pohuar Pacolli.

Më tej, të dy presidentët janë shprehur njëzëri se e ardhmja e Maqedonisë, Kosovës dhe gjithë vendeve të Ballkanit është në BE.

Top Channel