
Ministri i Brendshëm i Italisë do të vizitojë Tunizinë për të mbajtur bisedime me autoritetet vendase për mënyrat e ndalimit të fluksit të emigrantëve drejt ishullit të Lampedizës.
Më shumë se 15 mijë klandestinë kanë zbarkuar në javët e fundit në territorin italian, duke krijuar një krizë humanitare në vendin e Bashkimit Europian.
Shumica e emigrantëve të jashtëligjshëm janë tunizianë, por midis tyre gjenden edhe libianë apo marokenë, të cilët përfituan nga trazirat politike në veriun e Afrikës për të udhëtuar me mjete të ndryshme drejt “tokës së premtuar”.
Pritet që Ministri Maroni t’i ofrojë asistencë detare autoriteteve tuniziane, me synimin që fluksi i klandestinëve të ndërpritet.
Më parë, Roma zyrtare i ka bërë thirrje për asistencë Bashkimit Europian, duke theksuar se kjo është një krizë e të gjithë bashkisë dhe jo vetëm e Italisë.
Top Channel