Nëse dëshirojmë që t’i bindim qytetarët në veri se decentralizimi është një propozim tërheqës, atëherë mënyra më e mirë është që t’i tregojmë arritjet e decentralizimit të suksesshëm në jug të lumit Ibër, si një model tërheqës i Kosovës moderne.

Kështu është shprehur shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith. Ai i bëri këto komente të mërkurën, pas takimit të Grupit Ndërministror për Decentralizimin.

Sipas Feith, decentralizimi ka njohur përparime, pasi të gjitha komunat e përmendura në planin e Ahtisarit janë krijuar dhe drejtohen nga komuniteti përkatës shumicë, përveç asaj të Mitrovicës së Veriut.

“Ne duhet të sigurojmë transferimin e plotë të kompetencave nga qeveria qendrore në nivelet lokale dhe të sigurohemi se burime te mjaftueshme janë në dispozicion për komunat e reja. Po ashtu, duhet t’i informojmë qytetarët në veri për rëndësinë dhe përfitimet e decentralizimit si një vlerë e Evropës”, ka thënë Feith.

Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petkovic prezantoi planin e veprimit për zbatimin e decentralizimit 2010-2011.

Ky plan ka për qëllim përmbushjen e gjashtë objektivave si reformimi i legjislacionit në pushtetin lokal, themelimi i komunave të reja, transferimi i kompetencave dhe burimeve, realizimi i reformave të pushtetit lokal në komunat veriore të Kosovës, e të tjera.

Top Channel