“Minoriteti amerikan” në Shqipëri

23/03/2011 19:00

Regjistrimi i shumëdebatuar i popullësisë në bazë të feje dhe etnije mund të prodhojë elemente qesharake në të ardhmen e afër, si ai i formimit të një minoriteti amerikan, zbuloi emisioni i pasdites në Top Channel.

Përtej dozave të ironisë, dy të rinj tiranas shprehen të vendosur për t’u vetdeklaruar si amerikanë, por shumë të tjerë si ata mund të ndodhen në të gjithë Shqipërinë.

Kronika e Top Channel evidentoi edhe një herë më shumë rrezikun që i kanoset kombit nga një formular i tillë famëkeq, i aftë që të shpallë çdo shqiptar afrikan, japonez apo çfarë do që ai të dëshirojë.

”Kam dëgjuar të flitet për regjistrimin e popullësisë mbi baza etnike dhe fetare, por kjo është ende e zymtë si çështje”, thotë Malvina, një e re në Tiranë. ”Problemi është se ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pasi të kryhen këto regjistrime me këto baza”.

Megjithatë, nëse asaj do t’i kërkohet të vetdeklarohet për etninë, Malvina do të udhëtojë larg, drejt tokës së Statujës së Lirisë. “Unë do të vetdeklarohem amerikane, më pëlqen më shumë”, thotë ajo.

”Më pëlqen stili i jetesës, gjuha, kultura amerikane, për të cilën kam lexuar dhe dëgjuar shumë”.

Përsëri në Tiranë, një shtetas i ardhshëm i huaj është duke studiuar në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, Eduardi. “Edhe unë do të deklarohem si amerikan. Gjithmonë më ka pëlqyer të jetoj në SHBA, kështu që përse jo.

Përderisa më ka pëlqyer gjithmonë Amerika, ndihem edhe unë pak amerikan. Unë doja që të shkoja jashtë për shkollë. Më doli e drejta e studimit, por jo viza”.

Top Channel