Opozita akuzoi qeverinë e Kosovës se nuk do të realizojë rritjen prej 50 përqind të pagave, sic kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore.

Deputetë të lëvizjes Vetëvendosja deklaruan se në bazë të fondit të parashikuar për shtesat e pagave, rritja do të jetë vetëm 23 përqind.

“Premtohej që rritja e pagave do të jetë 50 përqind dhe 30 përqind në disa kategori, ndërkohë që tashmë është marrë vendimi që kjo rritje e pagave të jetë jo më shumë se 23 përqind për shkak se 50 përqindëshi do të aplikohet në pagën bazë”, deklaron deputeti i Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Nga ana tjetër reagimet e FMN-së se bisedimet për rritjen e pagave nuk kanë avancuar kanë ngritur të tjera dyshime, nëse qeveria do të përfitojë kredinë prej 108 milion euro nga marrëveshja e vitit të kaluar me këtë institucion.

Sidoqoftë opozita thotë se qeveria duhet të gjejë mënyrën për arritjen e një marrëveshje me FMN.

“Me këtë premtim PDK ka siguruar një numër të konsiderueshëm të votave dhe u takon atyre që të gjejnë rrugët dhe mundësitë se si t’i rrisin pagat, ashtu sic edhe kanë premtuar dhe jo më pak. Kanë premtuar 50 përqind, të rriten 50 përqind, ne nuk pranojmë as 49 përqind”, thotë anëtari i kryesisë së AAK-së, Avni Arifi.

Top Channel