Putin mohon divergjencat me Medvedev-in

22/03/2011 21:15

Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, hodhi poshtë sugjerimet se çështja libiane ka sjellë përçarje midis tij dhe Presidentit Dmitry Medvedev.

Putin kritikoi ndërhyrjen e koalicionit perëndimor ndaj Libisë, duke e konsideruar atë si një “thirrje mesjetare për kryqëzatë”, një qëndrim që Moska zyrtare nuk e ndan.

Rusia aprovoi në heshje nisjen e luftimeve. Ndonëse Moska abstenoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në OKB, nëse presidenti Medvedev do të kishte patur një mendim të ndryshëm, atëherë ai mund të kishte përdorur të drejtën që ka vendi i tij për veto.

Megjithatë, gjatë një vizite zyrtare në Slloveni, Kryeministri rus këmbënguli se nuk ka asnjë ndarje midis dy njerëzve më të fuqishëm të vendit.

”Nëse doni të dini më shumë rreth marrëdhënieve të mia me Presidentin Medvedev, mund t’iu siguroj se jemi shumë pranë njëri-tjetrit dhe se e kuptojmë mirë secilin”, deklaroi Putin nga Ljubjana.

Megjithatë, Kryeministri i Rusisë ritheksoi se “ka frikë se ndërhyrja e këtij koalicioni vetëm sa do të rrisë numrin e të vrarëve, në konfliktin libian”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA