
Prokurorët gjermanë kërkuan dënimin me gjashtë vjet burg të të moshuarit John Demjanjuk, pasi sipas tyre ekzistojnë prova të pakundërshtueshme se ai morri pjesë në masakrimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
90-vjeçari konsiderohet si bashkëpunëtor në vrasjen e 27 900 hebrenjve në kampin e përqëndrimit të Sobiborit, në Poloninë Naziste të vitit 1943.
I lindur në Ukrainë, Demjanjuk u ekstradua në Gjermani për t’u përballur me akuzat një vit më parë, pasi u arrestua në banesën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Demjanjuk i ka hedhur poshtë akuzat, por sipas prokurorëve ai ishte pjesë e gardës ukrainase të quajtur “Trawniki”, ku shtetas sovjetikë pro-nazistë u rekrutuan dhe u ngarkuan me detyrën e shfarrosjes së hebrenjve në territoret e pushtuara lindore të Gjermanisë.
Rreth 250 mijë persona gjetën vdekjen në dhomat e gazit të Sobiborit, ndërsa Demjanjuk ishte një prej personave që kryenin këtë proces.
90-vjeçari mbrohet duke thënë se nuk i kreu këto akte me vullnetin e lirë dhe se ishte i detyruar të vepronte kështu, për të mos përfunduar edhe ai vetë në dhomat e gazit.
Top Channel