Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përfundimisht ka dështuar që ta përballë presidentin Behgjet Pacolli direkt me Gjykatën Kushtetuese.

Ndonëse zyrtarët e AAK-së deklaronin më herët se janë duke punuar në drejtim të sigurimit të 30 nënshkrimeve të deputetëve, më 22 mars kur edhe mbaroi afati për të depozituar ankesën në institucionin më të lartë kushtetues.

AAK pretendonte se Pacolli shkeli Kushtetutën kur votoi për qeverinë, ndonëse disa minuta më herët ai u bë president, por megjithatë partia opozitare nuk i siguroi firmat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Nuk kemi arritur që të akordohemi me parti të tjera politike në mënyrë që të kemi 30 nënshkrime për t’i proçeduar ato në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Ardian Gjini, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së.

“Nuk po them asgjë më tepër përveç asaj që LDK-ja është duke e pritur përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së.

AAK dhe LDK janë pajtuar më parë që ta mbështesin njëra-tjetrën kur e dërguan në Gjykatën Kushtetuese një çështje tjetër që ka të bëjë vetëm me proçedurat e zgjedhjes së presidentit, por kjo nuk ka të bëjë me votimin që presidenti e bëri për qeverinë.

Top Channel