Pas kërcënimeve të djeshme të Muammar Gaddafi, se gjithë Mesdheu është tashmë një zonë lufte, si dhe të informacioneve të shërbimeve të fshehta të shteteve perëndimore për ekzistencën e raketave në arsenalin e armëve të ushtrisë së tij, gjithë mbrojtja kundër-ajrore greke është në gadishmëri të lartë, sidomos zona e Kretës, e cila ndodhet në zonën e veprimit të raketave libiane.

Bëhet fjalë për raketat e tipit “SCUD-B”, të cilat kanë një rreze veprimi prej 300 km dhe që janë përdorur në bombardimin e Izraelit në vitin 1991 nga Sadam Husein.

Por, sic bëhet e ditur, ushtria libiane ka në dispozicion qysh prej 2004, edhe versionin më të ri të këtyre raketave që kanë një rreze veprimi prej 500 km.

Shqetësimi është shtuar në bazën ushtarake të Sudes në Kretë, baza më e madhe në vend, ku ndodhen edhe forcat e aleatëve që marrin pjesë në operacionin “Odisea në Agim”, sidomos në orët e fundit për arsye se deri tani në bombardimet e forcave aleate nuk janë shkatërruar bazat e këtyre raketave që kërcënojnë Mesdheun.

Ndërkohë, ministri grek i Mbrojtjes, Evangjelos Venizelos deklaron në një intervistë për gazetën “Ta Nea” se Greqia nuk kërcënohet nga raprezaljet e mundshme të Gaddafi-t.

Asnjë prej sistemeve të armëve dhe as avionët që disponon udhëheqësi libian nuk mund të godasin tokën greke dhe konkretisht Kretën -thekson ai- kjo edhe për faktin se distancat janë të mëdha dhe se fregata greke Idra, ndodhet pranë Libisë dhe është e pajisur me të gjitha sistemet e fundit të mbrojtjes kundërajrore.

Gjithashtu, ministri grek ka ripërsëritur se Greqia në këtë fazë nuk merr pjesë në operacionet ushtarake, por thjesht disponon tre baza ushtarake për forcat aleate dhe ndihmon në operacionet e shpëtimit dhe të vëzhgimit.

Ndërkohë, të gjitha partitë opozitare greke janë shprehur kundër përfshirjes së Greqisë në sulmet mbi Libi.

Të dielën, një miting të madh kundër luftës kanë zhvilluar militantët e Partisë Komuniste, ndërsa sot kanë marrë stafetën e protestave nxënës të shkollave të mesme dhe studentë nga gjithë universitetet e vendit.

Top Channel