Dyshimin për krime lufte ndaj Fatmir Limajt, EULEX-i e ka bazuar vetëm në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues “X”, që ka thënë të ketë vrarë në prill të 1999-ës dy oficerë serbë.

Sipas tij, ekzekutimi është bërë me urdhër të Limajt. Që ta marrë në konsideratë atë çfarë ka deklaruar ky dëshmitar bashkëpunues i EULEX-it, provë më bindëse në aktakuzën e mundshme përmendet zbulimi 11 muaj më parë i një dosjeje mjekësore të dëshmitarit bashkëpunues “X” në dhomën e gjumit të Limajt, gjatë një bastisjeje që është bërë pa praninë e avokatit.

Dosja flet për trajtim shëndetësor të dëshmitarit. Ky i fundit ka thënë të jetë detyruar nga Limaj dhe njerëzit e tij të pranohej në spitalin psikiatrik të Prishtinës për ca kohë, për të diskredituar besueshmërinë e tij, shkruan gazeta “Koha Ditore”.

Limaj, një nga ish-komandantët e UÇK-së, që në luftë ka mbajtur nofkën “Çeliku”, dyshohet se ka urdhëruar dhe ka marrë pjesë në torturimin çnjerëzor të civilëve serbë e shqiptarë, në një kamp në fshatin Kleçkë në komunën e Lipjanit, si dhe të burgosurve ushtarë dhe policë serbë.

Për këtë rast prokurori special Mauricio Salustro ka ngritur kallëzim penal kundër tij dhe 11 të tjerëve. Sipas shkresave të lëndës që ka siguruar “Koha Ditore”, dëshmitari bashkëpunues “X” përshkruhet si një ish-ushtar i UÇK-së që me profesion është vinçier dhe si një person relativisht i paarsimuar, i cili “sidoqoftë e kupton shumë mirë domosdoshmërinë e deklaratave dhe veprimet e tij”.

Top Channel