Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me arrestimet e 9 ish-ushtarëve të UCK-së, të dyshuar nga EULEX për krime lufte.

Qeveria kosovare ka ritheksuar se UCK dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar një luftë të drejtë e të pastër, duke respektuar standartet dhe normat ndërkombëtare.

“Cdo përpjekje për njollosjen e luftëtarëve të UCK-së do të dështojë edhe këtë herë”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Në të theksohet më tej se qeveria e Kosovës mbështet sundimin e ligjit dhe iu bëhet thirrje qytetarëve që të përmbahen dhe të besojnë tek pafajësia e të akuzuarve.

Ndërkohë, lidhur me arrestimet ka reaguar edhe partia Vetëvendosje, e cila e ka cilësuar veprimin e EULEX si një shërbim për Serbinë në negociatat e reja.

“Nëpërmjet kësaj strategjie EULEX po përpiqet të diskretitojë Kosovën, si dhe t’i japë përparësi morale Serbisë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosje.

Top Channel