Një gjykatë në Pakistan pranoi lirimin e një punonjësi amerikan të CIA-s, i akuzuar për vrasjen e dy personave në qytetin e Lahores.
36-vjeçari Raymond Davis vrau dy persona në janar, pasi besonte se ata po e ndiqnin me një motor për t’a grabitur.
Familjet e dy të vrarëve bënë që procedimi të ndërpritej, pasi ata deklaruan se e falnin Davis. Në bazë të ligjit pakistanez, familjet kanë në gjendje t’a lirojnë vrasësin nëse e falin atë.
Ata konfirmuan përpara gjykatës se kanë marrë dëmshpërblim, i cili në bazë të ligjit musliman, njihet si “paratë e gjakut”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kërkuar më parë lirimin e 36-vjeçarit, që sipas tyre vishej nga imuniteti diplomatik, si pjestar i ambasadës, por në fund çështja u zgjidh në mënyrë jozyrtare, nëpërmjet dëmshpërblimit monetar.
Pavarësisht zgjidhjes së kësaj krize, besohet se ajo do të ketë efekte afatgjata në marrëdhëniet tashmë të krisura amerikano-pakistaneze.
Top Channel