Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur mundësinë që gjatë të martës t’u drejtohet liderëve botërorë në samitin që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

Në një fjalim të gjatë të mbajtur në samitin e liderëve botërorë, kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme të luajë rolin e vet duke e zhvilluar ekonominë, duke e përgatitur rininë për tregun botëror të punës, dhe duke e përmirësuar klimën e investimeve e të sundimit të ligjit.

Po ashtu kreu i ekzekutivit kosovar ka folur edhe për raportet në të kaluarën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij “është e hidhur e armiqësore, por tani është hapur një kapitull i ri, ai i integrimeve euro-atlantike të të dyja vendeve”.

Në një komunikatë për shtyp të zyrës së kryeministrit thuhet se, z. Thaçi ka kërkuar nga vendet që ta njohin realitetin e ri në Kosovë, t’i përcjellin arritjet e saj dhe të binden në shoqërinë e pjekur dhe demokratike kosovare.

Kreu i qeverisë kosovare ka paraqitur të dhëna edhe për popullësinë e shtetit të ri, ndërsa e ka paraqitur Kosovën edhe si vend të përshtatshëm për investime të huaja.

Kjo është hera e parë që një kryeministër kosovar merrë pjesë në një samit të tillë, ku liderët e të gjitha vendeve mblidhen për të diskutuar për ndryshime.

Top Channel