Qeveria maqedonase do të ofrojë ndihmë për kërkimet në zonat kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës për gjetjen e varreve masive të kosovarëve që mendohet se janë vrarë nga ushtria serbe gjatë kohës së luftës.

Gatishmëria e Shkupit u shpreh gjatë një takimi mes Ministrave të Shëndetësisë, Ferid Agani për Kosovën dhe Bujar Osmani për Maqedoninë të cilët shprehën gatishmërinë për një bashkëpunim të ngushtë në gjetjen e viktimave.

“Natyrisht që edhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka detyrat e saja në këtë drejtim dhe për fat të keq, sic e dini, Kosova është ballafaquar me këtë situatë për vite të tëra”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Ferid Agani.

“Republika e Maqedonisë do të reagojë në bazë të konventave të cilat ka pranuar e nënshkruar dhe që rregullojnë këtë cështje”, tha nga ana e tij Ministri maqedonas i shëndetësisë, Bujar Osmani.

Mirëpo përkundër gatishmërisë së shprehur në deklarata, zyrtarët maqedonas deri më tani nuk kanë ndërmarë asgjë konkreti lidhur me kërkesën e palës kosovare të bërë 1 vit më parë për fillimin e hetimeve që kanë të bëjnë me dyshimet për ekzistencën e varreve masive të kosovarëve në Maqedoni.

Sipas disa të dhënave jozyrtare, në afërsi të lumit Lepenz dhe në Shkup, ekzistojnë 2 varreza masive me rreth 40 trupa të civilëve kosovarë.

Top Channel