Arkitektë dhe profesorë të trashëgimisë kulturore, kanë shprehur argumentat e tyre për ruajtjen e Piramidës, si një godinë me vlera të veçanta arkitekturore dhe historike.
Arkitekti Arben Biçoku, thekson se plani rregullues i Tiranës, ka paracaktuar 12 qendra policentrike, çka do t’i jepte kryeqytetit një tjetër frymëmarrje.
“Është vepra e politikës në këtë vendimarrje. Është e pakonsultuar dhe po rezultojnë mendime të gabuara. Shoqata e arkitektëve është unison që piramida nuk duhet të prishet. Vazhdojmë të përsërisim të njëjtat gabime duke qenë se politika e fillon gjithçka nga viti 0”, është shprehur Biçoku.
“Mendoj se hapja e kësaj rruge përbën një humbje jo të vogël për pasurin kulturore të Tiranës, por edhe të Shqipërisë”, tha arkitekti Lorenc Bejko.
Piramida është hequr së fundmi nga lista e objekteve me rëndësi të veçantë. Por cilat janë kriteret e përzgjedhjes së këtyre objekteve dhe pse piramida ishte në këtë listë?
“Instituti i Monumenteve të Kulturës është larg nga përpunimi i disa kritereve për vendosjen e monumeteve të kulturës, por piramida është zgjedhur për shkak të arkitekturës dhe vlerave historike që ajo përmban”, theksoi Bejko.
Edhe pse ata nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre si profesionistë, mbi projektin që po ndërmerr së fundmi qeveria, dhe nuk janë ftuar për të parë 12 maketet në Kuvendin e Shqipërisë, ata theksojnë se ky është një hap i gabuar.
Ekspertët e arkitekturës dhe të trashëgimisë kulturore janë pro ndërtimit të një godine të re parlamenti, por janë kundër prishjes së një godine tjetër e cila mbart mbi vete histori dhe vlera arkitekturore dhe prishja e së cilës, do të krijonte vetëm një parcelë tjetër të lirë.
Top Channel