Përfaqësuesit e të ashtuquajturës Bashkësia e komunave të krahinës autonome të Kosovës e Metohisë kanë paralajmëruar se të martën, në një kuvend solemn të kësaj bashkësie në Zubin Potok, do të shpallin kryeministrin rus, Vladimir Putin, qytetar nderi të Kosovës.

Kryetari i bashkësisë, Radovan Nicic, ka thënë se Putin do të shpallet qytetar nderi për meritat e tij në ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ndërkohë, duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nënkryetari i bashkësisë, Marko Jakshic ka vlerësuar se, këto bisedime i janë imponuar Serbisë.

Sipas tij, ato u duhen shqiptarëve, të cilët nuk mund të lëvizin lirshëm jashtë Kosovës, meqë nuk kanë dokumente të pranuara në rang ndërkombëtar.

Jakshic ka vlerësuar se Beogradi zyrtar në këto bisedime do të pranojë cdo gjë, përvec njohjes së pavarësisë, në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit për në BE.

“Me pak fjalë, do të pranojë targat dhe dokumentet me vula të shtetit të Kosovës”, ka saktësuar më tej Jakshic.

Top Channel