
Kreu socialist Rama bëri përgjegjës kryeministrin Berisha për atë që e quajti grabitje e paprecedent e pronave publike të cilat, sipas tij, po gllabërohen çdo ditë nga një qeveri që mendon jo për shqiptarët, por vetëm për xhepat e saj.
“Janë pasuri me të cilat pa as më të voglin dyshim mund të ushqeheshin qindra mijëra familje. Mund të kishin një jetë më të sigurt qindra e mijëra shqiptarë që sot jetojnë ankthin e pasigurinë e papunësisë e të rritjes së çmimeve. Mund të kishin një perspektivë të hapur qindra mijëra fëmijë, që sot e gjithë ditën, nuk arrijnë dot të kenë librat e tyre të shkollës. Por nuk ndodh kështu, ndodh e kundërta, të gjitha këto pasuri regjimi vrastar i kusarisë kërkon ti kthejë në pasuri të vetat dhe fajin e ka Saliu”, është shprehur Rama.
Nga Berati ku ndodhej në kuadër të turit ‘Fajin e ka Saliu’, kryetari i Partisë Socialiste, Rama tha se sot Shqipëria po lëngon nën thundrën e një pushteti të korruptuar që ka shtrirë rrënjët e tij kudo duke u marrë siç tha ai, edhe shpresën shqiptarëve.
“Sot nuk ka punë, sot nuk ka shpresë, sot nuk ka siguri, sepse sot në Shqipëri nuk ka konkurrencë, fajin e ka Saliu. E pikërisht sepse ne duam ti japim Shqipërisë të gjitha rrugët e konkurrencës dhe shqiptarëve mundësinë që me talentet e dhuntitë e tyre të jashtëzakonshme të përfitojnë nga këto rrugë, e vetmja rrugë është Partia Socialiste dhe në rrugën e PS çdo shqiptarë do të gjejë mundësinë që meriton për të jetuar më mirë dhe për të rritur fëmijët e tij më i sigurt”, theksoi Rama.
Top Channel