Nga denoncimet tek arrestimet

12/03/2011 16:20

Në shtator të vitit të kaluar ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti denoncoi publikisht në media, një megaskemë mashtrimi, me kontrabandën e naftës së papërpunuar, në të cilën, sipas tij, ishin përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë edhe strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.

“Në momente të caktuara kam njoftuar edhe kryeministrin dhe ministrin e Financave, që në Shqipëri ka pasur një kontrabandë të jashtëzakonshme të naftës Virgin. Unë kam dyshimet e mia të plota dhe kam vënë në dijeni edhe kryeministrin që në këtë lloj kontrabande ka qenë e përfshirë Policia e Shtetit, doganat dhe tatimet e Republikës së Shqipërisë”, është shprehur Prifti në emisionin “Top Story” të datës 24 shtator 2010.

Më pak se një muaj pas këtij denoncimi, Prokuroria njoftoi zyrtarisht nisjen e hetimeve për këtë çështje duke e thirrur ish ministrin Prifti që të dëshmojë para njësisë task force prej mëse dy orësh.

“Absolutisht për t’i qendruar të gjitha atyre akuzave që kam bërë publike dhe për t’i paraqitur Prokurorisë fakte dhe dokumenta për të gjithë evazionin kontrabandën që ka ndodhur”, tha Prifti në atë kohë.

Skema e mashtrimit, sipas denoncimeve të Priftit, bazohej duke deklaruar eksporte të rreme të naftës “Vergine” përmes deklaratave të doganore, që karburanti shitej në tregun vendas edhe pse ishte ndaluar.

Por drejtues të lartë të doganave, institucioni që ligji i ngarkon përgjegjësinë për të kontrolluar qarkullimin e mallrave në kufi, edhe pse nuk i mohuan akuzat, deklaruan se nuk ka prova për ato që thotë ish ministri.

“Për periudhën në të cilën bëhet fjalë nga materialet e servirura nga një deputet, nuk është periudha që përkon. Bëhet fjalë për një periudhë tjetër, është një periudhë e mëparshme. Ne po punojmë dhe do të sigurojmë informacionin e duhur dhe në kohë të duhur do ta bëjmë prezent”, është shprehur në datën 12 tetor, Flamur Gjyrmyshka, drejtor i përgjithshëm i doganave.

Edhe policia, ndonëse ish ministri implikonte drejpërdrejtë një nga drejtuesit saj të lartë, mohoi deklarimet e Dritan Priftit.

“Qendrimet që synojnë të dëmtojnë imazhet e policisë së shtetit dhe të drejtuesve të saj nuk do të munden të zbehin arritjet domethënëse të Policisë së Shtetit. Nuk do të munden të dobësojnë luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi në atë kohë zëdhënësja e policisë, Klejda Plangarica.

Pas më shumë se katër muaj hetime, një ditë më parë njësia task forcë urdhëroi arrestimin e 13 personave mes të cilëve biznesmenë të njohur, punonjës të tatimeve dhe doganierë.

Të gjithë të përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, përmes të cilës mendohet se kanë përfituar abuzivisht në kurriz të konsumatorëve mbi dhjetë milionë euro.

Por ndaj tyre nuk është ngritur vetëm akuza e mashtrimit, pasi Prokuroria tashmë i akuzon për pastrim parash, falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre.

Tashmë pyetja qëndron se a do të ketë arrestime të tjera më pas, pasi vetë ish ministri Prifti thotë se në skemën e mashtrimit kanë qenë të përfshirë zyrtarë të niveleve më të larta qeverisë dhe njerëz pranë kryeministrit Berisha.

Top Channel