Aferat e fshatrat turistikë

12/03/2011 16:50

Ish ministri socialist i Turizmit, Besnik Dervishi, njeriu që denononcoi në publik kaosin me fshatrat turistikë, tregon se si nisi ajo që më pas do të shndërrohej në një aferë të madhe me pronat në bregdet.

Proçesi zë fill në vitin 1993 më të ashtuquajturi persona të stimuluar, që ishin kompani private të përzgjedhura nga qeveria për të ndërtuar fshatrat turistikë.

“Kjo konsistonte në dhënien e një trualli publik një subjekti të caktuar nga njëra anë dhe nga ana tjetër përjashtimi nga detyrimet doganore për pajisjet të cilat do të vendoseshin në këtë kompleks turistikë. Për futjen në aktivitet të kompleksit turistikë për pesë vitet e para përjashtohej nga tatimi mbi fitimin dhe për pesë vitet e tjera do të paguante 50 përqind të tatimit mbi fitimin”, është shprehur Dervishi.

Ligji përcaktonte qartë se si duhej të ndërtoheshin apartamentet dhe vilat, koefiçentët e shfrytëzimit të truallit, por që ndalonte rreptësisht shitjen e tyre pas ndërtimit.

“Ata të cilët përfituan kontratat për ndërtimin e fshatrave turistikë, filluan të abuzonin duke filluar të shesin sipërfaqet e ndërtimit. Diku një apartament, diku një vilë, diku një dhomë dhe u krijua një situatë e tillë që në vitin 2005 kur unë u njoha me çështjen, ishte e pamundur që të kthehej në gjendjen fillestare. Ajo që ishte akoma më e rëndë ishte se këto fshatra turistikë, kishin dalë krejtësisht nga funksioni i tyre”, tha Dervishi.

Por pse shteti ishte i pafuqishëm për të ndalur shkeljet e shumta që e nxorën të gjithë proçesin jashtë kornizës ligjore.

“Cënoheshin interesa jo vetëm të klasës politike, jo vetëm të asaj që ishte në pushtet, por edhe atyre që kishin prodhuar më përpara ligjin. Ajo që kishte qenë në opozitë 2002-2003 kishte qenë në pushtet në 1997 dhe interesat ndërthureshin nga të gjitha palët, por kishte dhe grupe të fuqishme ekonomike, mediatike të cilat kishin interesat e tyre në këtë sektor”, tha Dervishi.

Historia e dështuar e fshatrave turistikë, thotë Dervishi, ngjan me një skenar të parapërgatitur nga vendimarrësit për përftime personale dhe ku akti i fundit u luajt në Kuvend dy ditë më parë, ku u votua për t’i dhënë të drejtën pronarëve të vilave në fshatin turistikë që të blejnë edhe truallin me çmim 30 përqind më të lirë.

“Në fillim gjetëm mënyrën për të anashkaluar ligjin për të përfituar vilat, më pas i legalizuan ato, ndërsa tani gjendet një mënyrë për t’i dhuruar 20-30 përqind të vlerës së truallit”, theksoi Dervishi.

Top Channel