
“Aleanca kuq e zi” ku bëjnë pjesë 82 shoqata në vend ka nisur të mbledhë firma të qytetarëve për të bërë ndryshime në ligjin për gjendjet civile, me qëllim që të mos përfshihet gjatë regjistrimit të popullsisë, deklarimi i besimit fetar dhe përkatësisë etnike.
“Duke qenë se Kushtetuta e Shqipërisë i jep të drejtën 20 mijë zgjedhësve që të propozojnë një projektligj, ne kemi marrë një nismë ligjore për të ndryshuar këtë ligj. Nëse ne do të vendosim vetëdeklarimin mbi regjistrin e gjendjes civile, kjo do të jetë një boomerang që do të hapë shumë probleme”, është shprehur Endri Shabani, përfaqësues i “Aleancës kuq e zi”.
“Nëse realizohet regjistrimi i popullsisë me vetëdeklarim, do të thotë që të shtrembërohen të dhënat reale të përbërjes së popullsisë në Shqipëri dhe të krijohen kosto shumë të mëdha dhe me pasoja për identitetin e kombit shqiptar”, deklaroi Nuri Dragoi, shoqata “Fan Noli”.
“Me sa duket qarqe të caktuar kërkojnë të na detyrojnë të shndërrojmë në politika shtetërore, pikërisht shkombëtarizimin e Shqipërisë, gjë që mendoj së është shumë e rrezikshme. Kjo nuk do të ndodhë falë këtij reagimi qytetar dhe unë bashkohem me të rinjtë”, tha Lekë Sokoli, sociolog.
Pasi të jenë grumbulluara 20 mijë firma të qyetarëve nga të gjithë qytetet e vendit, propozimi për ndryshimet në ligjin për gjendjet civile do të kalojë direkt në parlament për miratim.
Top Channel