Skandali i naftës, 8 në pranga

11/03/2011 19:15

Prokuroria e Tiranës ka arrestuar tetë persona dhe akuzon tre biznese nafte për “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. (UPDATE)

Në një deklaratë të lëshuar në mbrëmje, rezulton se nga hetimet e zhvilluara deri tani është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007-2009, sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si “Virxhinia”, është tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum.

Ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat “Euroil” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër privat “Fisheku” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku.

Sasia e nënproduktit të naftës të quajtur “Virxhinia” është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës “Armo” sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit.

Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar.

Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e aktivitetit në fjalë.

Top Channel