Rama, takime në Durrës

11/03/2011 18:15

Me të njëjtin entuziazëm si në qytetet e tjera, Edi Rama ka vijuar takimet me bazën në qytetin e Durrësit. Zoti Rama flet për vështirësitë e jetës së përditshme dhe fajëson për gjithçka Sali Berishën.

Sipas tij, përgjegjësia për 1 milion të papunë, për gjendjen e rëndë në spitale dhe shkolla është vetëm e kryeministrit Berisha.

“Fajin e ka Saliu për 1 milion shqiptarë të papunë. Fajin e ka Saliu për shkollat e spitalet e Shqipërisë që nuk u përgjigjen ëndrrave, shpresave, nevojave dhe halleve të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Fajin e ka Saliu për çmimet që rriten përditë, ndërkohë që fuqia e lekut në xhepat e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi bie përditë.  Fajin e ka Saliu për një ekonomi që goditet dita ditës, aty ku jetojnë familje e zakonshme të këtij vendi dhe për një pasurim marramendës, ditë për ditë të atyre që jetojnë në oborrin e pushtetit që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë”, është shprehur Rama.

Sipas tij, drejtësia për katër vrasjet e 21 janarit, por edhe për të gjitha krimeve e kësaj qeverisje, do të bëhet e mundur vetëm pas uljes së Partisë Socialiste në tryezën e qeverisë.

Top Channel