OSBE: Po shkelet kodi me listat

11/03/2011 20:55

Dy ditë pas skadimit të afatit për rishikimin e listave paraprake të zgjedhjesve, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth u ka bërë thirrje autoriteteve qendrore dhe lokale të mos ndërhyjnë më për të ndryshuar listat, por të zbatojnë dispozitat e Kodit Elektoral.

Nëpërmjet një deklaratë, ambasadori i OSBE-së, shprehet jo pa shqetësim se disa zyra të gjendjes civile në të gjithë vendin vazhdojnë të përpunojnë kërkesa të reja për ndryshime të dhënash në listat paraprake të zgjedhjeve, edhe pse afati për këtë ka përfunduar më 8 mars.

Sipas Kodit Zgjedhor listat paraprake të zgjedhësve nxirren nga regjistri elektronik pas urdhrit të kryetarit të qeverisjes vendore, i cili është personi kyç në këtë proçes, pasi asnjë kërkesë e qytetarit për të ndryshuar të dhënat nuk mund të bëhet pa miratimin e tij.

Kjo do të thotë se me anë të kësaj deklaratë ambasadori i OSBE-së ka nxjerrë në pah një nga mangësitë e Kodit Zgjedhor, i cili nuk shmang konfliktin e interesit të kryetarit të bashkisë ose komunës që rikandidon në zgjedhje për të mobilizuar qytetarët të ndryshojnë vendbanimin nga një komunë ose bashki në tjetrën, në përpjekje për të rritur në mënyrë fiktive numrin e votave në favor të kryetarit të qeverisjes vendore, i cili rikandidon në zgjedhje.

Duke qenë se ky fenomen mund të klasifikohet si manipulim i listave të zgjedhësve, si nga kandidatët demokratë, edhe ata socialistë që eventualisht pritet të rikandidojnë në 8 maj, amabsadori i OSBE-së, u kërkon të gjitha palëve të përfshira në proçes të zbatojnë plotësisht Kodin Zgjedhor dhe të mos ndërhyjnë më në ndryshimin e listave paraprake të zgjedhësve, pas skadimit të afatit më 9 mars.

Ndërsa në një deklarate tjetër, ambasadorja britanike Fiona McIlwham, duke mirëpritur lajmin për regjistrimin e të gjitha partive në zgjedhje, ka theksuar se tani, gjëja më e rëndësishme është që të gjitha palët të angazhohen aktivisht për të siguruar se zgjedhjet do të arrijnë standardet europiane të zgjedhjeve.

Ambasadorja britanike thotë në deklaratën e saj se qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë zgjedhje të mira, një parlament konstruktiv institucione llogaridhënëse dhe të pavarura, një dialog politik të përgjegjshëm dhe bashkëpunim në interes dhe në të mirë të vendit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta