Në Strasburg është mbajtur dje një takim i Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, që është fokusuar në akuzat për trafikim të organeve në Kosovë gjatë konfliktit në vitin 1999.
Në këtë takim mori pjesë edhe autori i raportit, Dick Marty. Takimi ishte i mbyllur për gazetarët, por pas mbledhjes anëtarët e Parlamentit Evropian thanë se zoti Marty kishte dështuar në paraqitjen e provave lidhur me akuzat që ka ngritur dhe ka akuzuar anëtarët e PE-së, se ishin kritikë ndaj raportit të tij.
“Problemi ishte se ai e paraqiti raportin e tij në mënyrë të ashpër. Pastaj, ne i bëmë pyetje në mënyrë po të ashpër dhe ai filloi të na sulmojë neve”, ka deklaruar për të përditshmen “Irish Times” anëtari gjerman i PE, Bernd Posselt.
Edhe eurodeputetja gjermane, Doris Pack konfirmoi se reagimi i Marty pas pyetjeve të europarlamentarëve ishte shumë i ashpër.
“Në fund ai ishte aq i furishëm sa na sulmoi të gjithëve ne, duke na akuzuar se jemi të njëanshëm, sepse sipas tij ne i njohim këta njerëz në qeverinë e Kosovës”, deklaroi Pack.
Ajo ka nënvizuar se gjatë seancës Marty nuk ka paraqitur asnjë emër të dëshmitarëve apo viktimave të trafikut të organeve që ai pretendon se është kryer nga lidershipi kosovar.
Top Channel