
Asgjë nuk i ndal pronarët e furrave të gëlqeres në Fushë Krujë të cilët djegin goma dhe shkaktojnë një ndotje alarmante jo vetëm për zonën.
Aksionet e inspektoriatit ndërtimor dhe të Ministrisë së Mjedisit, por as çështjet penale ngritur nga Prokuroria, nuk e kanë ndalur masakrën ekologjike.
Në një nga furrat e gëlqereve në Fushë Krujë të rindezura së fundmi, menjëherë shfrytëzuesit e saj vendosin goma automjetesh për të prodhuar gëlqeren.
Aq e madhe është sasia e gomave që digjen sa tashmë është krijuar edhe një treg për telat që ngelen pas djegies së tyre.
Situata është bërë shqetësuese edhe për pushtetin vendor.
“Për furrat e gëlqeres është bërë diçka, por akoma vazhdojnë djegia e gomave e mbetjeve të ndryshme të cilat e ndotin ambjentin në një masë jashtëzakonisht të madhe. Kemi pasur shqetësime të herëpashershme të qytetarëve për ndotjen e madhe që shkaktojnë këto biznese, por akoma nuk jemi as në fazën e fillimit të kësaj pune për t’i mbyllur këto aktivitete, edhe të paligjshme, por edhe ndotëse”, është shprehur Dashamir Çela, nënkryetar i Bashkisë së Fushë Krujës.
Shqetësuese për këtë bashki është kthyer edhe fusha e hedhjes së mbeturinave për të cilat vendorët thonë se ka një projekt për ndryshimin e saj.
“Ai shesh depozitimi po mbushet dhe duhet të shikohet në mënyrë urgjente. Ne kemi një projekt për këtë dhe kemi bërë edhe një kërkesë pranë Ministrisë së Brendshme për marrjen dhe blerjen e një sheshi depozitimi dhe përpunimi tjetër, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, theksoi Çela.
Ndotja në këtë zonë është alarmante jo vetëm për shkak të furrave dhe mbeturinave, por edhe nga lumi Zezë që transporton në mes të qytetit të Fushë Krujës ujërat e zeza.
Top Channel