
Kopshti botanik në Tiranë, i vetmi në të gjithë vendin, duket se do të ketë fatin e Muzeut të Shkencave të Natyrës.
Pas pushtimit të hapësirave nga ndërtimet e shumta me leje të dhëna nga komuna e Farkës, tashmë është ndërtimi i unazës së madhe që parashikohet të marrë një të katërtën e kesaj hapësire.
Drejtues të tij shprehen të shqetësuar pasi kanë mësuar se për shkak të punimeve që do të kryhen për unazën e madhe do të merren nga kopshti botanik rreth 2.5 hektarë, ndryshe nga c’ishte parashikuar në projektin e financuar nga BERZH, ku prekej vetëm rrethimi i kopshtit botanik.
“Ajo që dinim ishte unaza e prekte shumë pak kopshtin botanik dhe këtë e kemi parë në faqen zyrtare të BERZH. Ndërkohë, nga ajo që mësuam dje del se dëmi i kopshtit është shumë i madh, 2.5 hektarë na e merr unaza”, ka deklaruar Petrit Hoda, përgjegjës i kopështit botanik.
BERZH, që ka bërë vlerësimin e ndikimit në mjedis e cilëson kopshtin botanik si zonë me prioritet të lartë që nuk duhej cënuar.
Pas projektit të dytë, përpiluar nga Drejtoria e rrugëve, mësohet se BERZH është tërhequr. Punonjësit e kopshtit botanik shprehen të shqetësuar kur dëgjojnë se kopshti botanik shërben vetëm për shëtitje, pasi funksionet e tij janë studimore dhe shkencore për florën shqiptare.
“Funksioni i parë dhe më i rëndësishmi është ai shkencor. Ne kemi për detyrë parësore grumbullimin e florës, sjelljen e saj këtu dhe studimin e biologjisë së tyre. Së dyti, kopshti shërben dhe për qëllime mësimore dhe së treti, ai është një ambjent clodhës”, ka nënvizuar Hoda.
Kopshti botanik është në varësi të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Ministrisë së Arsimit, por në lidhje me këtë zaptim të sipërfaqes së këtij laboratori në natyrë nuk janë pyetur as dekanati dhe as Ministria e Arsimit nuk ka informacion.
Një ditë më parë punonjës të një firme ndërtimi kanë mbërritur në këtë zonë për të nisur punimet për unazën e madhe, punime të cilat nuk nisin as në fillim dhe as në fund të segmentit të përcaktuar, por në mesin e saj dhe pikërisht në një hapësirë që mundëson infrastrukture për xhunglën e ndërtimeve të reja të komunës.
Top Channel