Leonardo pa kufij: Tripleta e mundur

10/03/2011 18:55

Trajneri i Interit, Leonardo, nuk i vendosi kufij ambicjeve të klubit të tij, ndërsa theksoi se vazhdon të jetë i bindur rreth mundësisë së zikaltërve për të përsëritur tripletën historike të një viti më parë.

”Pika më e fortë e këtij Interi është fakti që mund të luajë në shumë mënyra dhe nuk ka pika të vërteta referimi, pa të cilat e ka të vështirë të funksionojë. Ky është një grup fleksibël dhe që ka risurse të pashterueshme”, deklaroi Leonardo.

”Të mos kesh pika referimi të bën me të vërtetë shumë të fortë, pasi kundërshtarët nuk janë në gjendje të përqendrohen tek një lojtar i vetëm. Kjo do të thotë se ne jemi në gjendje të godasim nga të gjitha pozicionet dhe në të gjitha mënyrat”.

Përpara se Interi të përballet me Bayern-in, do të jetë Brescia ajo që do të sfidojë zikaltërit të premten, në një ndeshje kampionati. “Ndonëse janë në zonat e ulta të klasifikimit, Brescia është një skuadër e mirë dhe në formë.

Së fundmi ata kanë arritur t’i shkëpusin pikë Romës, Udinezes apo ekipeve të tjera të forta, prandaj nuk duhen nënvlerësuar. Është e rëndësishme të fitojmë, për t’u përgatitur me qetësi për ndeshjen e Champions”.

Në deklaratën e tij, braziliani konfirmoi mundësitë e skuadrës që drejton për të fituar gjithçka. “Jemi në gjendje të përmbysim rezultatin në Mynih, të fitojmë kampionatin dhe Kupën e Italisë. Ky Inter është në gjendje të përsërisë tripletën historike të një viti më parë”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta