Një ditë pasi përfundoi raundi i parë i bisedimeve Prishtinë-Beograd, Kunevdi i Kosovës ka miratuar rezolutën që u jep dritën jeshile këtyre bisedimeve.

Me 63 vota pro e 48 kundër, Parlamenti legjitimoi tashmë delegacionin për të vazhduar dialogun me palën serbe.

Sipas rezolutës, dialogu do të zhvillohet si dy shtete të pavarura, vetëm për cështje teknike dhe pa prekur në asnjë rast sovranitetin, subjektivitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës.

Rezoluta u miratua nga partitë e koalicionit qeverisës, ndërsa kundër saj dolën partitë opozitare LDK, AAK dhe Vetëvendosje.

“Ne kërkojmë që roli i Kuvendit të fuqizohet, qeveria t’i nënshtrohet vendimeve të kuvendit dhe jo të ndodhë e kundërta”, ka deklaruar Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së.

“Kjo votë që iu bë sot rezolutës së PDK-së dobëson pozitën e Kuvendit dhe e kthen atë nga organi më i lartë politik, në një organ që do merret me cështjet teknike”, ka thënë pas tij Visar Ymeri, kryetar i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Ardian Gjini, kryetar i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. “Grupi ynë ka kërkuar në këtë rezolutë që të thuhet se Kosova nuk do të bisedojë për cdo aspekt të rregullimit të brendshëm”, ka theksuar ai.

Por rezoluta është arsyetuar nga PDK. “Është një rezolutë e mirë për Kosovën, forcimin e qeverisë dhe rolin mbikëqyrës që ka Kuvendi mbi qeverinë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hajredin Kuci.

Top Channel