Organet greke kritikohen ashpër për herë të dytë brenda këtij viti përsa i përket përballimit të emigrantëve ilegalë, sidomos në qelitë e paraburgimit.

Sipas një raporti të Agjencisë së të Drejtave Themelore të BE. me seli në Vjenë, që e publikon agjencia shtetërore austriake, shumë emigrantë ilegalë, midis tyre gra shtatzëna dhe fëmijë, mbahen në kushte cnjerëzore në qendrat e refugjatëve.

Konkretisht sillen si shembuj qelitë e kampit të përkohshëm në Sufli, të prefekturës së Evros, ku në një vend me hapësirë 110 metër katror, me një banjë dhe me temperatura të ulëta, mbahen 144 vetë, pesë herë më tepër se sa përcaktojnë standartet e Këshillit të Europës për parandalimin e torturave.

Është për të ardhur keq, theksohet në raport, që të gjithë emigrantët ilegale kur arrestohen, burgosen dhe nga kjo procedurë nuk përjashtohen as foshnjat.

Sipas shefit të Agjencisë, Morten Kjaerum, vetëm gjatë vitit 2010, 45 persona kanë humbur jetën në përpjekjen e tyre për të kaluar kufijtë turko-grekë në lumin Evro.

Në dy vitet e fundit, thotë ai, Greqia po përballet me një valë të madhe të emigracionit ilegal në këtë zonë të vendit, ndërkohë që ky fenomen është frenuar plotësisht në perëndim, në kufijtë shqiptarë.

Vete Sesilia Malmstrom, komisionerja për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë, deklaron në raport se:

“Gjendja humanitare e emigrantëve dhe azilkërkuesve në Greqi është tejet shqetësuese. Përmirësimi i ambjenteve te pritjes është shumë urgjente. Autoritetet greke përfitojnë nga solidariteti evropian një paketë të ndihmës financiare dhe praktike dhe unë u bëj thirrje atyre për të marre të gjitha masat e nevojshme dhe për të ndihmuar personat në nevojë”.

Raporti publikohet në ditën e 44-t të grevës së urisë që nisën 250 emigrantë në Athinë dhe 50 në Selanik, me kërkesë legalizimin e tyre, por që gjeti kundërshtimin e plotë të qeverisë greke. Shumica e grevistëve të urisë kanë përfunduar në spitale me probleme serioze shëndeti.

Top Channel