Pamflete me përmbajtje politike, të cilat janë marrë përsipër nga Shoqata e Bizneseve, në të cilat EULEX-i shpallet non grata, janë vendosur të mërkurën nëpër vende publike në Zubin Potok.

Në këto pamflete thuhet se, EULEX-i me punën e tij nuk është treguar neutral, një status me të cilin ky mision i BE-së e filloi punën në Kosovë në 2009-ën.

Në këto pamflete shkruhet se, pjesëtarët e këtij misioni po tentojnë që serbët në veri të Kosovës t’i prezantojnë si kriminelë, pasi ata nuk duan të paguajnë tatimet dhe doganat shtetit të Kosovës.

Ndërkohë që sic njofton agjencia e lajmeve “Kosovapress”, i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkovic ka thirrur një takim të strukturave paralele më datën 15 mars në Zubin Potok.

Aty pritet që të merret vendimi kundër patrullimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës në veri, heqjen e pikave kufitare, si dhe shpalljen në tërësi të pjesëtarëve të EULEX-it në veri, si non-grata.

Sipas burimeve nga veriu, të cituara nga kjo agjenci, nëse këto vendime nuk do të zbatohen, atëherë ata nuk do të marrin asnjë përgjegjësi për incidentet e mundshme ndaj pjesëtarëve të EULEX-it.

Top Channel