Vlorë, kërkesë kundër regjistrimit

09/03/2011 15:55

Në qytetin e Vlorës ka nisur firmosja e një kërkese që kërkon zyrtarisht anulimin e regjistrimit të popullsisë ku duhet të deklarohet kombësia dhe përkatësia fetare. (UPDATE)

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, nismëtar i një levizjeje që kundërshton këtë proces, ishte në takimin e zhvilluar në qytetin e Vlorës.

“Ata që inspirojnë dhe mbrojnë kauzën e ndryshimit të kombësisë dhe regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare kërkojnë të cënojnë sigurinë kombëtare, rendin juridik, sovranitetin e këtij shteti dhe manipulimin e qeverisë në mënyrë që integrimi të kalojë për Shqipërinë dhe Kosovën nga Athina dhe Beogradi”, ka deklaruar Spahiu.

Nismës kundër regjistrimit të popullsisë në bazë të kombësisë dhe fesë i janë bashkuar shumë juristë, intelektualë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Më pas, pjesëmarrësit e takimit kanë dalë në Sheshin e Flamurit ku ka nisur nënshkrimi i peticionit. I pari që ka firmosur këtë peticion, që do shëtisë në të gjitha qytetet e vendit për t’i dhënë mundësi gjithkujt të shprehë qëndrimin e tij, ka qenë vetë Spahiu.

Më pas peticioni do t’i paraqitet zyrtarisht qeverisë për t’i kërkuar anulimin e regjistrimit të popullsisë në bazë të përkatësisë fetare dhe kombësisë.

Lëvizja mori shkas nga deklaratat e konsullit grek të Korcës që kërkoi deklarimin si grekë gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

Top Channel