
Zgjedhjet vendore duhet t’u japin më shumë mundësi qytetareve për të përmbushur kërkesat e tyre.
Kreu i vendit, pasi ka përshëndetur pjesëmarrjen e partive politike dhe regjistrimin e tyre, ka kërkuar që qytetarët të jenë më pjesëmarrës në këto zgjedhje.
“Përtej retorikave politike, partitë duhet të respektojnë institucionin më të rëndësishëm në demokraci, atë të zgjedhjeve, qoftë i zgjedhjeve të përgjithshme, qoftë lokale. Të bëjmë një debat të qytetëruar dhe të shikojmë tek cështjet që ka nevojë qytetari”, ka deklaruar Topi.
Në takimin që ka zhvilluar me akademikët, mbi integrimin e vendit në BE, presidenti është ndalur edhe tek pavarësia e insititucioneve dhe problemet e krijuara në Kushtetutën e Shqipërisë.
“Atëherë kur ndryshimet kushtetuese mund të ndodhin kur sinkronizohen me orekset e politikës, pa marrë në konsideratë përse bëhen, pa marrë parasysh standartet, atëherë dëmtohen institucionet. Ky është një shembull që ekziston. Lind nevoja që pa kaluar 2 apo 3 vjet kemi nevojë të ndryshojmë prap”, ka nënvizuar Topi.
Ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj ka mbështetur mendimet ndryshe, por ka theksuar se kërkohet që të ketë bashkëpunim në momente të caktuara.
“Ka ardhur koha që ta duam më shumë njëri-tjetrin. Boll me emisione televizive ku dalin personazhe të paragjykuara dhe që përleshen me njëri-tjetrin, gjë që nuk con në integrimin e vendit”, është shprehur Beqiraj.
Presidenti Bamir Topi ka kërkuar që intelektualët dhe njerëzit që njohin mirë cështje të caktuara, sic është historia e vendit, apo e minoriteteve, të mos heshtin, por të jenë pjesë e debateve publike që sensibilizojnë opinionin publik.
“Në ato momente kur diskutohen cështje me rëndësi kombëtare, identiteti kombëtar që ka të bëjë me gjuhën, kulturën, me një debat artificial që shkaktohet nga homologët për cështje të tjera që prekin identitetin dhe memorien e vjetër të kombit shqiptar, atëherë duhet të jemi prezent”, ka theksuar Topi.
Top Channel