
Një studente nga Burreli i ka dhënë fund jetës, duke u vetëhelmuar në dhomën e konviktit, ku jetonte prej më shumë se një viti e gjysmë me shoqet e saj.
Ornela Zh., 20 vjeçe ka marrë këtë vendim më 8 mars, pas një debati të ashpër, që mendohet se ka pasur me një të njohurin e saj në Qytetin Studenti, ndërkohë që kohët e fundit kishte probleme edhe me të dashurin, i cili jetonte në Angli.
Shoqet e dhomës së konviktit janë munduar t’i vijnë në ndihmë vajzës së re, por ajo ka ndërruar jetë disa orë më vonë në spital.
Rreth orës 01:00 të mëngjesit, salla operative e policisë është njoftuar se në një nga godinat e Qytetit Studenti, një vajzë ishte shumë rëndë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet policore të postës së Qytetit Studenti, si dhe një ambulancë.
Vajza e re, e cila është identifikuar nga shoqet e saj, është nisur me urgjencë për në repartin e helmimeve te Spitali Ushtarak.
Rreth dy orë më vonë, ajo ka ndërruar jetë, ndërsa shoqet e saj kanë treguar për policinë se çfarë kishte ndodhur.
Sipas dëshmive të tyre, ajo ka qenë e shtrirë, kur mendohet se ka pirë gjysmë kokërr fostoksinë.
Më tej, vajzat e reja, shoqe të viktimës, kanë treguar se pasditen e datës 7 mars kishte qenë shumë e mërzitur, por nuk kishte shpjeguar asgjë se çfarë i kishte ndodhur.
Megjithatë, policia shpjegoi se ka mbledhur edhe disa dëshmi për vajzën e re. Fillimisht, policia ka bërë identifikimin e saj, e cila rezultonte se ajo ishte studente e Ekonomikut, në stazh.
Ajo kishte mbetur në vitin e parë të shkollës së lartë dhe rrinte në stazh në Tiranë, nga frika për t’u kthyer në Burrel, ku kishte familjen.
Familja e saj është njoftuar nga uniformat blu se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që prej tyre janë kërkuar shpjegime të mëtejshme me qëllim për të zbuluar motivin e vërtetë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Nga të dhënat e mbledhura, mësohet se vajza e re ka qenë e lidhur me një djalë, i cili aktualisht jeton në Angli.
Me të, ajo mbante lidhje prej kohësh, por kohët e fundit kishte krijuar një lidhje të veçantë edhe me një të njohurin e vet në Tiranë.
Problemet dhe debatet me këta dy persona mendohet nga policia që ka qenë shkaku i vetëvrasjes, por një fakt i tillë nuk është vërtetuar përfundimisht.
Top Channel