
Deputetët e Partisë Socialiste kanë firmosur kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor që do të ketë si subjekt hetimi veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas informacioneve nga selia rozë, hetimi do të bazohet më së shumti në planin ekonomik dhe dëmin që i është shkaktuar Kuvendit nga shkeljet e shumta të drejtueses aktuale Jozefina Topalli.
Kërkesa e socialistëve do të synojë të zbardhë të gjithë veprimtarinë ekonomike ku përfshihen edhe shpërblimet, dietat, udhëtimet dhe cdo lëvizje tjetër financiare e kryer nga ky institucion.
Sipas PS, ekzistojnë të dhëna mbi shkeljet që janë kryer nga drejtimi aktual i Kuvendit, të cilat i kanë shkaktuar sipas tyre një dëm të konsiderueshëm financiar këtij institucioni.
Përvec anës ekonomike, kjo iniciativë e PS bazohet edhe në kritikat e forta të formuluara në opinionin e Komisionit Europian për veprimtarinë e Kuvendit.
Nisma e deputetëve Erjon Brace dhe Gazmir Bizhga është mbështetur nga i gjithë grupi parlamentar socialist dhe nesër pritet të dorëzohet zyrtarisht edhe në kryesinë e Kuvendit.
Top Channel