Opozita: Rama për Tiranën

09/03/2011 15:45

Në një kohë kur pritet vendimi i Partisë Socialiste për zyrtarizimin e kandidaturës për Tiranën, drejtues të tryezës së opozitës duket se nuk kanë asnjë dyshim se ai do të jetë Edi Rama.

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi e konsideron të fituar bashkinë e Tiranës dhe betejën politike me kandidimin e kryetarit aktual të saj Edi Rama, por edhe me emrat e tjerë të përfolur, të cilët i quajti skuadër të rezervave.

“Tani, pavarësisht se e majta tregon se të djathtën mund ta mundë me rezervat, këtu jemi në një betejë shumë të egër, sepse kemi një qeveri që ka vrarë opozitën. Prandaj, këtu do të luash me ekipin maksimal për ta mundur kundërshtarin, prandaj do të kandidojë Edi Rama”, deklaron Gjinushi.

Për Gjinushin, vendi duhet të zhvillonte zgjedhje politike për të sjellë standarte dhe për të zgjidhur krizën politike.

Ndërsa Prec Zogaj, përfqësues tjetër i opozitës së bashkuar, shprehet se do të mbështesin cdo kandidat të Partisë Socialiste.

“Është një vendim që duhet ta marrë vetë kryetari i bashkisë dhe opozita e bashkuar do ta mbështesë kandidaturën. Është e rëndësishme që ta fitojmë Tiranën. Vendimi është një vendim që e merr vetë Rama sepse ka shkruar një histori suksesi në bashkinë e Tiranës”, thotë Zogaj.

Sipas dy përfaqësuesve të opozitës së bashkuar, kandidati i PD Lulëzim Basha është i humbur në këtë betejë politike, pasi që në nisje të këtij dueli ai ka të mbartur problemet me drejtësinë.

Top Channel