11 vjet pas luftës, Kosovës mund t’i kthehen librat orgjinalë të regjistrit civil, që u morën nga forcat serbe në vitin 1999.

Për këtë do të dialogohet me Beogradin. 70 për qind e librave janë shkatërruar gjatë luftës, nga zjarri ose nga uji.

Zyrtari i gjendjes civile, Blerim Camaj ka sqaruar për Top Channel se si qendron cështja.

“Republikës së Kosovës i mungojnë 8 mijë libra të gjendjes civile, që janë shpërndarë në komuna të ndryshme të Serbisë. Disa prej tyre ndodhen në Nish, ndërsa të tjera në Kabujevc”, ka deklaruar Camaj.

Por nevoja e këtij procesi vihet në pikëpyetje kur Kosova e ka të plotësuar regjistrin e ri civil me 90% të popullsisë.

“Kjo do na shërbejë vetëm për të bërë verifikimet, për të krahasuar nëse do të ketë përputhje”, ka sqaruar më tej Camaj.

Kjo cështje është një nga kërkesat kryesore për liberalizimin e vizave. Për këtë arsye do të krijohet një komision i posacëm, që do të analizojë librat.

Top Channel