Korçë, Rama: Berisha të ikë

09/03/2011 12:40

Edi Rama vazhdon me ngulm takimet e tij në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Edhe në Korcë, njësoj si në qytetet e tjera, atmosfera është ajo e një fushate elektorale.

Slogani i ri i këtij turi takimesh, i përshtatet mesazhit të njëjtë që zoti Rama po përcjell kudo: “Fajin e ka Saliu!”.

“Saliu duhet dhe do të largohet. Kjo qeveri e kthyer në regjim që vret e vjedh pa u ndalur duhet dhe do të largohet. Shqipëria duhet dhe do të zgjedhë me zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme qeverinë që do dhe nuk do të sundohet më kurrë nga ata që nuk e lenë të zgjedhë sepse thjesht nuk e duan”, është shprehur Rama.

Me fjalë të thjeshta për të kaluar më lehtë mesazhin, Edi Rama lë të kuptohet se për socialistët zgjedhjet e 8 majit janë më shumë se administrative: zgjedhjet do të jenë një test politik.

Zoti Rama mendon se Shqipëria është në një udhëkryq dramatik dhe u tregon të pranishmëve rrugëdaljen.

“E në këtë udhëkryq dramatik ka vetëm një rrugë për të dalë, kjo është rruga e Partisë Socialiste”, theksoi Rama.

Çfarë do të bëjnë socialistët ndryshe nga demokratët, këtë zoti Rama nuk e shtjellon të plotë. Tani, është koha për të denoncuar kundërshtarin.

Alternativa socialiste pritet të shpaloset më vonë, kur Partia Socialiste të bëjë publike gjatë fushatës, programin e saj elektoral.

Top Channel