ILDKP-ja gjobit 14 zyrtarë

09/03/2011 13:25

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive mori dje vendimin për të gjobitur 14 zyrtarë shqiptarë, për shkak të shkeljes së rregullave të deklarimit dhe po kështu për mosdeklarim në afat të pasurive të tyre.

Në listën me 14 zyrtarë bie në sy se 12 prej tyre janë ish-zyrtarë, të cilët kanë mbajtur pozicione të rëndësishme në ministri, dogana, por edhe në diplomacinë shqiptare.

Kështu, në listën e 12 ish-zyrtarëve spikat edhe gjoba prej 25 000 lekësh e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Sallabanda, gjobë e cila ka ardhur për arsye të mosdeklarimit të pasurisë brenda afateve ligjore pa pasur arsye.

Të njëjtën shumë lekësh gjobë me të njëjtin motivacion pritet ta paguajë edhe ish-diplomati i njohur, Qazim Tepshi.

Nga ana tjetër, në këtë listë ish-zyrtarësh, të cilët janë gjobitur për vonesa në deklarim, bie në sy emri i ish-drejtorit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Ani Dasho.

Po kështu, listës i shtohen edhe emra si ish-përmbarues, regjistrues dhe doganierë.

Nga ana tjetër, dje ILDKP-ja ka marrë vendimin edhe për gjobitjen e dy zyrtarëve aktualë me akuzën e shkeljes së rregullave të deklarimit të pasurive.

Kështu, me gjoba prej 10 000 lekësh janë penalizuar Mexhi Salliu, kryetar i Komunës Sinaballaj dhe Gjek Cali, kryetari i Komunës Balldre.

Përfaqësuesit e Inspektoratit të Lartë theksojnë se aktualisht po zhvillojnë kontrolle në të gjitha institucionet publike për respektimin e kërkesave ligjore mbi deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave.

Nga ana tjetër, përmes njoftimit për shtyp ILDKP-ja thekson se u kujton të gjithë subjekteve që mbartin detyrim për deklarim vjetor se afati i fundit i dorëzimit të deklaratave është data 31 mars 2011.

Në këtë kuadër, Inspektorati i Lartë thekson se ndaj zyrtarëve që nuk plotësojnë detyrimin ligjor sipas afateve ligjore, do të zbatohen sanksionet përkatëse.

Nisur nga kjo, zyrtarëve që kanë detyrimin të deklarojnë u kanë ngelur edhe 20 ditë për të bërë publike lëvizjet në pasurinë e tyre gjatë vitit 2010.

Pak ditë më parë, paditë penale të Inspektoratit të Lartë të depozituara në prokurori për sa i përket abuzimit me pasuritë e dy kryekomunarëve, të Dajtit dhe të Gosës, sollën edhe shkarkimin e tyre.

Kështu, Inspektorati i Lartë në përfundim të kontrollit të plotë për interesat private të vetëdeklaruara nga subjekti Kujtim Qefalia, konstatoi mosdeklarimin e 3 trojeve me sipërfaqe 1110 m², (njëri prej të cilëve në bashkëpronësi), të blera me vlerë 5.9 milionë lekë.

Po kështu, ILDKP-ja vërejti mosdeklarimin e dy tokave arë, me sipërfaqe totale 17.000 m², të blera me vlerë totale 22 milionë lekë, mosdeklarimin e një dyqani me sipërfaqe 70 m², me vlerë 200 000 lekë, mosdeklarimin e 3 automjeteve dhe një llogari bankare në shumë 475 000 lekë.

Nga ana tjetër, ILDKP-ja doli në konkluzionin se Sinan Shala, kryetar i Komunës Gosë, Kavajë, ka përfituar në mënyrë të paligjshme disa kabina plazhi së bashku me truallin, pronë publike të ndodhura në zonën e plazhit të Karpenit, Kavajë.

Sipas inspektoratit, këto asete më pas i ka shitur me vlerë reale 200 000 euro, por të deklaruara në ILDKP si të shitura në vlerën 5 milionë lekë.

Top Channel