Përfundojne bisedimet e para mes Prishtinës e Beogradit, ku për herë të parë përfaqësuesit e shtetit serb dhe atij kosovar u ulën përballë njëri-tjetrit në pozita të barabarta.

Delegacionet u larguan nga Brukseli me besimin se ky dialog, që pritet të zgjasë për mëse një vit, do të mund të konkludojë në marrëveshje për bashkëpunimin efikas në terren mes dy vendeve.

“Është biseduar mbi kadastrat dhe regjistrin. I është kërkuar Beogradit që të kthejë dokumentacionin e plotë me qëllim që të bëjmë verifikimin. Është biseduar gjithashtu për CEFTA-n, bashkëpunimin tregtar dhe njohjen e vulave doganore. Si konkluzion, pak progres sepse këto cështje duhen adresuar më mirë”, deklaroi kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri.

“Të gjitha këto cështje janë shumë të rëndësishme, me kapacitet të lartë politik e nuk mund të quhen cështje teknike, pasi ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Ne sigurisht jemi duke ndërtuar një urë midis nesh, e mund t’ju them se pati disa propozime të mrekullueshme nga të dyja delegacionet tona. Ne do të punojmë mbi këto dhe vecanërisht mbi zbatimin e këtyre propozimeve, kur të vijë koha. Për momentin duhet të them se në disa cështje jemi shumë më afër se për disa të tjera”, ka thënë nga ana tjetër përfaqësuesi serb Borko Stefanovic.

Është rënë dakord që palët të takohen minimalisht 2 herë në muaj për të negociuar. Takimi i radhës pritet të mbahet gjatë javës së fundit të marsit në selinë e Këshillit të BE-së.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel