Disa orë pas pamjeve të rralla të borës që mbulonte Akropolin, lajmi se tre persona janë gjendur të vdekur vetëm disa dhjetëra metra më larg, në qendër të Athinës, ka shkaktuar reagime të mëdha në mediat greke.

Dobësia e shtetit në perballimin e fenomeneve të motit dhe në ndihmën që duhet t’u jepet qytetarëve ishte një nga temat kryesore të ditës.

Trupat pa jetë janë gjendur nga punonjës të shërbimeve komunale, të cilët kanë lajmëruar menjëherë organet e rendit.

Ka disa orë që pjesa më e madhe e vendit është goditur nga stuhi dëbore, duke shkaktuar probleme të medha, sidomos në trafikun rrugor si dhe në furnizimin e shumë ishujve me energji elektrike.

Edhe në prefekturën e Athinës era e fortë dhe reshjet e borës kanë shkaktuar probleme në rrjetin elektrik. Gjithashtu, është ndërprerë përsëri qarkullimi i makinave në disa rrugë nacionale në zonat përreth.

Në portet jugore të vendit vazhdon ende të mos lundrojë asnjë anije. Punonjësit e transportit publik, për të mos rënduar më shumë situatën, kanë anuluar një grevë 24-orëshe të planifikuar për sot.

Në shume zona të vendit për të dytën ditë shkollat e arsimit të ulët dhe të mesëm janë mbyllur. Meteorologët parashikojnë kthimin në normalitet të motit në fundjavë.

Top Channel