Vlorë, ndërtesa e vjetër do shembet

08/03/2011 13:40

Godina që mendohej të ishte hotel turizmi i qytetit të Vlorës dhe që mbeti për 25 vjet gjysmë e ndërtuar shumë shpejt, do të rrëzohet.

Ndërtesa, që u kthye gati në një simbol të qytetit të Vlorës, ka nisur të shkatërrohet për t’i hapur rrugë një projekti të ri në këtë zonë.

Ndërtimi i hotelit nisi në tetor të vitit 1984 dhe parashikohej të zgjaste për 5 vjet, por zvarritjet në kohën e komunizmit dhe ndryshimi i sistemit në vitin 1990 bënë që ndërtimi të lihej në mes.

Prej asaj kohe godina, që qendron prej 25 vjetësh përballë monumentit të pavarësisë, ka lënë një shije të hidhur për banorët dhe vizitorët e qytetit të Vlorës.

Godina disa herë ndryshoi pronësi, në vitin 1996 ajo u ble nga një prej firmave piramidale, pas rrëzimit të saj godina u bë pronë e autoritetit mbikëqyrës të fajdeve për t’u blerë më pas nga një biznesmen lokal.

U mendua që ndërtesa shumëkatëshe të shkatërrohej me eksploziv, por ky projekt u la në mes për shkak të rrezikut që paraqiste shembja për ndërtesat e tjera.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta