Serbia dhe Kosova do të mbajnë sot takimin e parë të nivelit të lartë që kur Prishtina shpalli pavarësinë tre vjet më parë.

Deklarata e pavarësisë kundërshtohet nga Serbia, por të dyja palët kanë rënë dakord për mbajtjen e bisedimeve të mbështetura nga BE.

Takimi i sotëm në Bruksel do të përqendrohet kryesisht tek cështjet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës, përfshirë atë të telekomunikacionit dhe hapësirës ajrore.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se progresi në këto bisedime do të jetë vendimtar për afrimin e Serbisë dhe Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

“Synimi i bisedimeve është përmirësimi i jetës së qytetarëve në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe vendosja e tyre në një linjë me standartet e BE”, ka deklaruar një zyrtar i Unionit për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Shqiptarët e Kosovës u rebeluan ndaj spastrimit etnik serb në fund të viteve ’90, një konflikt që shkaktoi mbi 10 mijë të vdekur dhe largimin e mijëra të tjerëve nga shtëpitë e tyre.

Top Channel