
Rreth 25 mijë biznese kanë kërkuar çregjistrimin e aktivitetit të tyre nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
Shifra konfirmohet nga administrata tatimore, e cila së bashku me ekspertë të Ministrisë së Financave po hartojnë një plan të ri ligjor që bën të mundur identifikimin real të subjekteve private.
Të 25 mijë subjektet kanë kërkuar mbylljen e aktivitetit me argumentin e krizës ekonomike dhe dështimit në biznes, por administrata tatimore jep një tjetër argument që rrëzon poshtë tendencën.
“Një pjesë e mirë vijon ende të kryejë biznes, por thjesht është çregjistruar për të krijuar një emër të ri, si mundësi për t’iu shmangur pagesës së taksës 20 për qind të TVSH-së”, sqaron një specialist i Tatimeve.
Këtë gjykim japin edhe zyrtarët e Financave, të cilët thonë se shumë biznese ndërrojnë emrin bashkë me adresën në mënyrë që t’u shmangen taksave.
Fenomeni po trajtohet gjerësisht nga dy administratat, në kuadër të rishikimit të ligjit “Për procedurat tatimore”, te pjesët ku flitet për identifikimin e bizneseve të paregjistruar në QKR apo me formën e çregjistrimit të tyre.
Një tjetër problem, kësaj here për biznesin, vijon të mbetet edhe procedura e çregjistrimit, e cila has në shumë pengesa dhe zgjat për shumë kohë.
Duke qenë se Tatimet e kanë kuptuar lojën me “zhdukjen” e emrit të subjektit, po shikojnë mundësinë e forcimit të kontrollit.
Top Channel