
Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të miratojë një rezolutë për dialogun me Serbinë. Kryeministri Thaci deklaroi se negociatat hapin rrugën për në Bashkimin Euriopian, por partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje kërkuan nga qeveria që të ofrojë axhendën e bisedimeve.
Deputetet e Kuvendit zhvilluan një debat të gjatë duke u ndarë në dy blloqe, pozitë dhe opozitë, ata shpalosën pajtimet dhe mospajtimet lidhur me dialogun me Serbinë.
Vetëvendosje u tregua më e ashpër duke e kundërshtuar dialogun, ndërkohë që pjesa tjetër e opozitës kërkoi nga qeveria pikat që do të diskutohen në mënyrë që në rast marrëveshje, ajo të ratifikohet nga parlamenti.
Fillimisht u propozuan 2 draft-rezoluta, njëra nga PDK që mbështet dialogun me Serbinë me kusht që të mos diskutohet statusi dhe integriteti territorial dhe tjetra nga Vetëvendojse kundër dialogut me Beogradin pasi ky i fundit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë 2 partitë e tjera opozitare, AAK dhe LDK kërkuan që qeveria të bëjë publike axhendën e bisedimeve në mënyrë që cdo marrëveshje që del prej tyre të ratifikohet nga Kuvendi.
Por kryeministri Thaci u shpreh se Kosova ka gati platformën e saj për bisedimet me Serbinë që nga muaji shtator, para se të miratohej rezoluta e OKB-së.
“Unë si kryeministër ju garantoj se Kosova ka platformën e bisedimeve që nga shtatori i vitit të kaluar. Kjo platformë është përgatitur përpara se të aprovohej rezoluta për Kosovën në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së”, tha kryeministri Thaci.
Pas më shumë se 6 orë debat deputetët nuk ranë dakort për hartimin e një rezolute për bisedimet. Seanca e radhës për dialogun me Serbinë do të mbahet të enjten. Deri në këtë ditë deputetët do të punojnë në harmonizimin e qendrimeve të tyre për të dalë me një rezolutë të përbashkët për bisedimet me Serbinë që startojnë ditën e sotme në Bruksel.
Top Channel