
Delegacioni kosovar i kryesuar nga zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri ka udhëtuar sot drejt Brukselit, ku pritet të realizohet takimi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi.
Kështu konfirmuan për Top Channel burime pranë këtij delegacioni.
Nisja e bisedimeve vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës nuk arriti të nxjerrë në seancën e së hënës një rezolutë per negociatat, duke e shtyrë këtë çështje për ditën e enjte.
Por, sipas kryetarit të tij, Jakup Krasniqi, qeveria në bazë të Kushtetutës mund të zhvillojë bisedime me Serbinë pa e pyetur Kuvendin.
Por bisedime të tilla, sipas Krasniqit, duhet të jenë teknike dhe jo politike.
Në anën tjetër, subjektet politike opozitare, gjatë së martës kanë kundërshtuar nisjen e negociatave pa u vendosur më parë në organin përfaqësues të popollit.
Lidhja Demokratike e Kosovës e cilësoi këtë një veprim të papërgjegjshëm të qeverisë dhe deklaroi se kabineti duhet t’i marrë parasysh rekomandimet që do të dalin nga rezoluta e Kuvendit. Qëndrime kundërshtuese shprehu edhe lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Top Channel