
Nisi zyrtarisht dialogu Prishtinë-Beograd. Në mbrëmje përfaqësuesit e shteteve respektive të rajonit hynë në selinë e Këshillit të BE-së, ku i prisnin larg syve të medias, zv/ndihmës Sekretari amerikan i shtetit Tomas Kauntriman dhe ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Kuper.
Dialogu synon që palët të bien dakort për cështjet që lidhen me sundimin e ligjit, bashkëpunimin rajonal e lëvizjen e lirë dhe nga Brukseli pritet që të arrihet një marrëveshje konkrete për shkëmbimet tregtare, njohjen respektive të vulave doganore si dhe hapësirat ajrore.
”Ka shumë çështje praktike në axhendë për të cilat konsiderojmë se nëse ka kreativitet ne mund t’i kapërcejmë dallimet që kemi. Ky dialog mund të ndihmojë në përmirësimin e jetëve të njerëzve por edhe të përshpejtojë axhendën europiane të dy shteteve”, deklaroi Edita Tahiri, zv/kryeministre e Kosovës dhe kryenegociatore e delegacionit të Prishtinës.
Përballë kryenegociatores së emocionuar të ekipit të Kosovës, përfaqësuesi i Serbisë u shfaq më i qetë ndërsa shpjegonte qendrimin e Beogradit, përfshi këtu dhe ndërsa pyetej nëse do të diskutohej në tryezë cështja e statusit të Kosovës.
“Statusi i Kosovës është gjithandej në këto bisedime. Ka mjaft çështje të hapura që qëndrojmë mbi tryezë dhe do të përpiqemi t’i zgjidhim sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim që ky proces të zgjasë aq kohë sa do të duhet të marrë për të zgjidhur së paku problemet më kryesore që ekzistojnë mes nesh”, tha Borko Stefanoviç, drejtor politik në Ministrinë e Jashtme të Serbisë dhe kryesues i delegacionit të Beogradit.
Bisedimet vijojnë dhe të mërkurën ndërsa palët pritet të takohen disa herë në muaj në selinë e Këshillit të BE-së.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel