Delegacioni kosovar ka shkuar në Bruksel për të filluar bisedimet me Serbinë, por pas ka lënë kundërshti të mëdha. (UPDATE)

Qeveria, sipas Kushtetutës, mund të bisedojë për çështje teknike pa e pyetur Kuvendin, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi kur u pyet nëse është “në rregull” që të ndodhë kjo kur ende nuk është miratuar një rezolutë a dokument?!

Përgjigjja e Krasniqit, vjen vetëm një ditë pasi legjislativi nuk arriti të nxjerrë një rezolutë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e shtyrë këtë çështje për të enjten.

“Qeveria e ka të drejtën të bisedojë për çështje teknike pa miratimin e Kuvendit, sepse i ka kompetencat me Kushtetutë dhe me ligj. Nëse arrihet një marrëveshje dhe ajo duhet të ratifikohet në Kuvend, ai bëhet me 2/3 e Kuvendit”, theksoi Krasniqi.

Por, subjektet politike opozitare e kundërshtojnë nisjen e bisedimeve pa miratimin nga Kuvendi.

“Nuk kanë rrugëdalje tjetër pa marrë parasysh atë që u tha në Kuvend. Përndryshe do të përballen edhe me pasojën e mosnjohjes së tyre edhe si përfaqësues eventualë dhe realisht nuk e obligon Kuvendin e Kosovës”, Ismet Beqiri, LDK.

“Nëse ndodh takimi i parë mes Tahirit dhe delegacionit serb, atëherë ky takim do të jetë plotësisht jolegjitim, pasi ai bëhet vetëm me vendim të qeverisë pa e marrë lejen nga Kuvendi”, theksoi Visar Ymeri, Lëvizja “Vetëvendosje”.

Ndërsa, në qeverinë e Kosovës kanë thënë vetëm se do të respektojnë çdo vendim të Kuvendit.

“Ne kemi pasur një pranim të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtator të vitit të kaluar nga Kuvendi i Kosovës dhe këto janë bisedimet teknike. Qeveria e Kosovës do të jetë e përgjegjshme para Kuvendit të Kosovës, para qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe çdo vendim që merr Kuvendi, ne do e respektojmë në tërësi”, theksoi zëvendësministri i Kosovës, Hajredin Kuqi.

Sidoqoftë delegacioni i Kosovës i kryesuar nga zv/kryeministrja Edita Tahiri ka udhëtuar për në Bruksel vetëm gjatë së martës, pasiqë nuk ka arritur të udhëtojë mbrëmjen e së hënës ashtu siç ishte pritur, për shkak të debateve në Kuvend, ku sërish do të mbahet një seancë e re të enjten për nxjerrjen e një rezolute për çështjen e bisedimeve.

Top Channel