
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha e ka orientuar policinë shqiptare, drejt goditjes dhe bllokimit të aseteve të krimit të organizuar, pikërisht atë çfarë partnerët strategjike në fushën policore të Shqipërisë, kanë kërkuar prej kohësh.
Në ditët e tij të fundit ndoshta si ministër i Brendshëm, në pritje të kandidimit për Bashkinë e Tiranës, Basha u shpreh se lufta ndaj krimit të organizuar është e humbur nëse nuk identifikohen këto asete.
“Duhet të ndalem në një aspekt me rëndësi kapitale kundër krimit të organizuar, për ne, partnerët tanë, për çdo vend fqinj dhe për vendet e BE-së: konfiskimin e aseteve kriminale. Duam të shohim progres, kjo është një thirrje për policinë e shtetit, për prokurorinë dhe çdo institucion tjetër. Asetet e krimit të identifikohen dhe të kalojnë në një proçedurë sa më të shpejtë para drejtësisë”, tha Basha.
Deklarata e ministrit të Brendshëm u bë gjatë takimit të radhës së palëve të interesuara të misionit PAMECA 3, por që vjen fill pas deklaratave të publicistit italian Roberto Saviano, se në Shqipëri edhe mafia italiane ka asete.
Basha gjatë referimit për luftën e policisë ndaj krimit, u ndal edhe tek presionet.
Ai sërish përmendi presionet e politikës në funksion të krimit të organizuar, por akuza e rëndë e tij, nuk u shoqërua me emra konkrete.
“Goditja e këtij aktiviteti kriminal ka qenë shumë e dobishme për objektivat tona dhe shkatërrimtare për krimin e organizuar. Por kjo nuk do të thotë se presionet e krimit të organizuar apo dinamika që ai ndjek kanë marrë fund. Këto presione vazhdojnë dhe shpesh të kombinuara edhe me mbështetje nga politika”, theksoi ministri.
Më herët Lulzim Basha ka organizuar një takim festiv me punonjëset e Ministrisë së Brendshme, si edhe ato të policisë së shtetit.
Top Channel