
Kryeministri, Sali Berisha duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, i ka bërë thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama që të dëgjojë zërin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale.
“Në këto zgjedhje çdo votë do respektohet. Vullneti i çdo qytetari do të respektohet. Në këto zgjedhje qytetarët shqiptarë do të japin kontributin e tyre thelbësor për konsolidimin e demokracisë. Ftoj zotin Rama të lexojë mesazhet e qytetarëve shqiptarë, por edhe miqëve të Shqipërisë në Evropë dhe në botë. Këto mesazhe janë zgjedhjet lokale si një provë e lirisë së qytetarëve shqiptarëve. Më mirë të zbatojë ligjet dhe proçedurat konsensuale se sa të merret me eskimezët në fshatin tim”, tha Berisha.
Ai ka deklaruar se zyrtarisht PD-ja ka filluar fushatën elektorale dhe ka deklaruar se në qendër të saj është qytetari dhe problematikat e tij.
“De fakto kemi nisur fushatën elektorale. Kjo për ne eshte kryekëputë për qytetarin dhe problematikën e tij. Ky është mesazhi që kërkojmë të përcjellim në të gjitha strukturat tona. Kjo është politika më e mirë që duhet të bëjmë në këtë fushatë elektorale. Mesazhet tona. Përqëndrimi ynë, projekti ynë, ka në epidendër qytetarin, komunitetin dhe problematikat e tyre”, tha Berisha.
“Në mënyrë të qartë, është e domosdoshme që ne të kemi të përgatitur në këto zgjedhje projektin vendimtar të ‘Shqipërisë, vend i zhvilluar’. Nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa zhvillim rural të qendrueshëm”, deklaroi Berisha.
Top Channel